{:al}“FG Shoes” Sh.p.k u themeluar në vitin 1997 nisur nga pasioni dhe njohuritë e familjes Golemi për këpucët. Nuk ishte thjesht dhe vetëm një biznes si shumë të tjerë që hyjnë apo dalin nga tregu, por më shumë kishim të bënim me një përpjekje të vështirë për të rilindur një industri që dikur konsiderohej si traditë në Shkodër. Dhe në fakt përpjekja rezultoi e sukseshme, duke vërtetuar deri diku edhe shprehjen e njohur se “Bota është e guximtarëve”.
Sot “FG Shoes” është një prej kompanive lider në tregun vendas në prodhimin e këpucëve, me një eksperiencë 20-vjeçare dhe një gamë të gjerë produktesh, duke filluar nga sandalet e deri tek çizmet, për femra e meshkuj. Nën etiketën “made in Albania’, kjo kompani eksporton një pjesë të mallit edhe jashtë Shqipërisë. Sfida mbetet rritja e eksporteve dhe pozicionimi si një markë e rëndësishme në tregun ndërkombëtar të këpucëve. Suksesi i kësaj sipërmarrje duhet kërkuar në dy elementë shumë të rëndësishëm. E para janë materialet cilësore italiane, të trajtuara në mënyrë natyrale, që përdoren si lëndë e parë. Së dyti është qasja menaxheriale e drejtuesve të kësaj kompanie, që ndjek në mënyrë aktive kërkesat e klientëve dhe investon vit pas viti në mënyrë që ata të kenë rehatinë dhe sigurinë që duan në produket e “FG Shoes”.
Zgjerimi dhe rritja e kësaj kompanie ndër vite, përveç meritës së drejtuesve të saj, duhet kërkuar padiskutim edhe në paketat lehtësuese fiskale të ndërmarra nga qeveria, sidomos në vitet e fundit. Vlen këtu të përmendim faktin e përjashtimit nga TVSH-ja të makinerive që industria fason blen nga jashtë vendit për të zhvilluar aktivitetin e vet. “FG Shoes” jep një kontribut të rëndësishëm në qytetin e Shkodrës, sa i përket punësimit. Mbi 400 vetë janë të punësuar në këtë sipërmarrje, synimet e së cilës janë të rritet edhe më tej.
Prodhimi ditor është për t’u patur zili, plot 2 mijë palë këpucë, të cilat më pas i shohim nëpër dyqane brenda e jashtë vendit nën etiketën “Made in Albania”. “FG Shoes” është një tjetër histori suksesi që mund të frymëzojë sipërmarrje të tjera, aq më tepër nëse i referohemi sërish vitit 1997 kur ajo u themelua dhe nisi aktivitetin. Një simbolikë ndoshta e largët në kohë, por shumë domethënëse dhe që tregon, se asnjëherë nuk është vonë për të investuar, sado të vështira që mund të jenë rrethanat. /SME Albania{:}{:en}
{:}