Almida dhe Adriatiku të dy vijnë nga dyert e Liceut Artistik. Piktura për ata është shprehja e emocionit të çdo dite në jetën e tyre. Edhe pse qyteti i Beratit është kaq i bukur për t’u pikturuar, në të ka kaq pak dyqane pikturash. Ky është paradoksi.
Çifti nga Berati prej disa vitesh ka ngritur punën e tyre duke investuar në një studio arti të mirëfilltë, “Adria Art Studio”.
Aty punohen piktura, duke i realizuar në teknika të ndryshme si në teknikën e Monotipit, në teknikën e akuarelit dhe pastelit, gjithashtu skica grafike si edhe punime në pirografi.
Në shumicën e rasteve teknikat zgjidhen sipas kërkesave të klientëve.
Në fillimet e para të hapjes së studios Almida ka qenë vetëm 18 vjeçe dhe kjo aftësi sipërmarrëse e saj është për t’u vlerësuar. Sot Almida është plot 35 edhe mendon si ta zhvillojë më tepër biznesin për të tërhequr turistët e huaj e të shumtë që vizitojnë qytetin e Beratit.
Ajo çka e dallon më së shumti është aftësia për të përçuar njohuritë në fushën e pikturës edhe tek brezat e rinj. Tashmë ajo zhvillon edhe kurse pikture së bashku me Adriatikun për grup mosha të ndryshme. Të apasionuar pas këtij arti ata punojnë çdo ditë me shpresën që një ditë të kenë një studio akoma edhe më të madhe, të mbushur me adhurues të artit.
Kur e pyetëm Almidën se ç’është piktura për të ajo tha: “Piktura për mua ka qenë argëtimi i fëmijërisë, është pasioni i rinisë dhe shpresoj të mbetet kënaqësia e pleqërisë”.