Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes bëri me dije se ka hapur thirrjen e parë për projektet e përbashkëta territoriale Itali-Shqipëri-Mali i Zi, pjesë e programit Interreg IPA që përfshin tre shtete.
Fondi i vënë në dispozicion për projektet e propozuara është 25 milionë euro, nga të cilat 85 për qind mbulohen nga kontributi i fondeve publike të Bashkimit Europian dhe 15 për qind do të jetë nga bashkëfinancimi kombëtar.
Thirrja është e hapur deri në 15 maj dhe të gjithë projektet që do të propozohen duhet të kenë synimin e rritjes së bashkëpunimit në rajonin e Programit për të trajtuar sfida të përbashkëta dhe me qëllim rritjen e zhvillimin territorial të integruar.
Në program orientimi është sipas katër boshteve. Boshti 1: Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe konkurrueshmëria e NVM-ve. Boshti 2: Menaxhimi smart i trashëgimisë natyrore dhe kulturore për shfrytëzimin e turizmit te qëndrueshëm ndërkufitar dhe atraktiviteti territorial. Boshti 3: Mbrojtja mjedisore, menaxhimi i riskut dhe strategjia e uljes së nivelit të karbonit. Boshti 4: Rritja e aksesibilitetit ndërkufitar, promovimi i shërbimeve dhe fasiliteteve të qëndrueshme të transportit dhe përmirësimi i infrastrukturës publike./ata.gov.al