Nuk është ekzagjerim nëse themi se Shqipëria është lider botëror në prodhimin edhe eksportimin e bimëve medicinale, të cilat pa frikë mund t’i cilësojmë si një lloj eliksiri i ekonomisë tonë. Bimë të egra mjekësore dhe aromatike gjenden në sasi të mëdha në fushat dhe malet tona, duke krijuar kështu një mundësi punësimi për rreth 100 mijë familje që jetojnë në zonat rurale. Sot në rubrikën “Made in Albania” po ju njohim me historinë e kompanisë “Gjedra”, një sipërmarrje që për më shume se dy dekada operon në grumbullimin, amballazhimin dhe eksportin e bimëve medicinale.
Pas nisjes së aktivitetit në vitin 1993 si person fizik, me grumbullimin dhe ambalazhimin e bimëve medicinale, dy vjet më vonë kjo kompani shndërrohet në Sh.p.k, me synimin e qartë për të eksportuar bimë medicinale nëpër botë. Falë rritjes së kapaciteteve dhe menaxhimit të mirë, shumë shpejt nisën eksportet drejt vendeve europiane si Italia, Greqia, Gjermania, Spanja, Italia, Bullgaria e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikë. Shifrat janë impresionuese. Sot kjo kompani eksporton rreth 700 tonë sherebel në vit, por eksporton gjithashtu edhe një gamë të gjerë artikujsh të tjere, si Folia Rubi Fructicosa rreth 400 tonë në vit, Folia Saturea Montana rreth 100 tonë në vit, Folia Urtica rreth 40 tonë ne vit, etj.
Bimët medicinale grumbullohen në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe qëndrojnë në gjendje të thatë në farbrikë nën kontrollin rigoroz të personelit, duke iu nënshtruar proceseve të ndryshme, si: pastrim, presim, ambalazhim e marketim. Me kalimin e viteve “Gjedra” ka investuar shumë edhe në drejtim të përsosjes së metodave të përpunimit të bimëve medicinale përmes makinerive moderne, ndërsa disponon edhe një laborator fiziko-kimik për kryerjen e një sërë analizash të ndryshme. Drejtimi kryesor i veprimtarisë së kompanisë është eksporti i sherebelit në SHBA dhe në shtete të ndryshme të Europës. Por me shtimin e kontakteve dhe kërkesat në rritje të tregut ndërkombëtar, “Gjedra” po grumbullon dhe eksporton pothuajse të gjitha bimët medicinale që gjenden në territorin e Shqipërisë.
Zgjerimi i eksporteve, persosja e teknologjise së prodhimit dhe perpunimit, rritja e kapacitetit të saj financiar dhe atij njerezor, janë objektivat e kësaj kompanie të suksesshme në Berat, por me impakt në të gjithë vendin. Bimët medicinale shqiptare mbajnë erë suksesi kudo që shkojë, dhe kompania “Gjedra” shënon një tjetër histori suksesi në radhët e sipërmarrjes shqiptare.