Instituti Shqiptar i SME-ve, SME Albania zhvilloi sot Ceremoninë përmbyllëse të edicionit të parë të Akademisë Verore për SME, organizuar në bashkëpunim me Köstinger Consulting.
Në këtë ceremoni ishin prezent pjesëmarrësit e Akademisë Verore: SME në fushat e agropërpunimit, ICT-së, sigurisë, artizanatit, konsulentë që mbështesin sipërmarrjet, si dhe studentë të interesuar në ngritjen e kompanive start-up.
Në këtë Akademi pati mbi 20 lektorë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët referuan mbi 20 tematika të ndryshme që janë të rëndësishme dhe koherente për biznesin e vogël dhe të mesëm. Të ftuar të vecantë të kësaj Akademie ishin përfaqësues të Ambasadës së Kinës në Shqipëri, të cilët mbajtën një seminar mbi të bërit biznes dhe mundësitë e bashkëpunimit mes sipërmarrjeve shqiptare e kineze.
Në përfundim të ditës së gjashtë të trajnimit, organizatorët dhe të ftuar të vecantë nga Ambasada e Kinës në Shqipëri u shpërndanë pjesëmarrësve certifikatat e pjesëmarrjes.
Fitues të kësaj Akademie ishin Znj. Oli Kacani, nga kompania Rogat Security, dhe Z. Artur Hadroj, nga kompania ATC Natyral, të cilët fituan të drejtën e një trajnimi 1-mujor në Kinë.
Gjatë zhvillimit të kësaj Akademie, nga pjesëmarrësit u mblodh një shumë të hollash, që do t’i dhurohen Fondacionit Down Syndrome Albania.