Instituti Shqiptar i SME-ve, SME Albania, është duke marrë pjesë në Forumin e Praktikave të Mira 2018 (Good Practice Forum 2018) që mbahet në datat 30 deri më 31 maj 2018 në Torino, duke shënuar fazën përfundimtare të thirrjes për praktikat më të mira në “Ndërkombëtarizimin e SME-ve” të nisur në vitin 2017. Përveç prezantimit të praktikave të mira dhe lehtësimit të mësimit ndërmjet ofruesve të trajnimit, ky forum veçanërisht synon të promovojë një dinamikë të strukturuar ndërmjet ofruesve të trajnimit të praktikave të mira dhe politik-bërësve. Qëllimi është të përcaktojë se çfarë politik-bërja mund të mësojë nga praktikat më të mira.
Forumi ka bashkuar ofruesit e trajnimit dhe krijuesit e politikave nga vendet partnere të BE dhe ETF, duke përfshirë koordinatorët nga Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina, Egjipti dhe Palestina.
Në këtë forum SME Albania përfaqësohet nga Drejtori Ekzekutiv Z. Elton Shametaj i cili ditën e sotme prezantoi Akademinë Verore të SME-ve si praktikën me të mirë të realizuar në vitin 2017 në bashkëpunim me Kostinger Consulting, me përfaqësuese Znj. Asetila Kostinger. Akademia Verore e SME-ve 2017, iniciuar për herë të parë në Shqipëri nga SME Albania, realizoi trajnimin e rreth 35 sipërmarrjeve të vogla e të mesme duke shënuar një model suksesi trajnimesh për SME-të në vend. Kjo iniciativë e SME Albania do të vijojë edhe këtë vit, me realizimin e Akademisë Verore për SME-të në datat 25-29 Qershor, me fokus menaxhimin e eksportit.